Përleshje në afërsi të diskotekës ‘Gate’, theret me thikë taksisti i ‘Taxi Victory’ – i dyshuari në arrati

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet e shumta, ku shpeshherë përdoren edhe mjete të forta, të mprehta e armë zjarri. Si pasojë e kësaj, në shumë raste viktimat kanë marrë edhe plagë fatale për jetën e tyre.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në afërsi të diskotekës ‘Gate’ në Fushë Kosovë, ku një taksist i kompanisë ‘Taxi Victory’ është therur me thikë nga një person.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shoferi i taksisë kishte shkuar atje për të marrë një pasagjer, mirëpo kjo si duket i ka kushtuar shumë. Kjo pasi që një person i cili dyshohet të jetë taksist ilegal, e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me thikë dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Viktima është dërguar me urgjencë në Emergjencë, ndërsa njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

I dyshuari është identifikuar, mirëpo i njëjti ka arritur që të largohet nga vendi i ngjarjes për në drejtim të panjohur dhe i njëjti tashmë është shpallur në kërkim policor.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit në stacion policor.

Ndryshe, Sinjali ka provuar që të kontaktojë edhe kompaninë ‘Taxi Victory’, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur në telefonatat e redaksisë.

Lexo edhe:  Të shtëna me armë zjarri në Gjakovë, plagoset një person