Përleshje mes të miturve në Obiliq – një i lënduar me thikë, një i arrestuar, një në arrati
Një përleshje e dhunshme mes të miturve ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në sheshin “Dëshmorët e Kombit” në Obiliq, ku si pasojë një 16-vjeçar ka mbetur i lënduar me thikë.
Burime të besueshme bëjnë të ditur se më 29 qershor 2025 rreth orës 19:30, ka shpërthyer një konflikt mes katër të rinjve: E.H (2008) – viktimë dhe më pas edhe i dyshuar, dhe A.A, 17 vjeçar, R.S 16 vjeçar, J.B, 17 vjeçar – të dyshuar për sulmin dhe përdorim të armës së ftohtë.
Sipas informacioneve, rrahja ka degraduar në përdorim të thikave, duke i shkaktuar viktimës lëndime në dorë. Ai është dërguar fillimisht në QMF Obiliq dhe më pas në QKUK për trajtim të mëtejshëm.
Hetimet kanë zbuluar se edhe viktima kishte mbajtur thikë me vete, por ka mohuar ta ketë përdorur. Një thikë është gjetur dhe sekuestruar edhe nga i dyshuari A.A. Të gjithë personat e përfshirë janë trajtuar për lëndime trupore dhe më pas intervistuar në prani të prindërve dhe avokatëve.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit:
A.A është dërguar në ndalim për “Lëndim të rëndë trupor” dhe “Mbajtje të paautorizuar të armës”.
R.S është liruar në procedurë të rregullt.
J.B nuk është arritur të arrestohet dhe ndodhet në arrati.
E.H, fillimisht viktimë, është trajtuar edhe si i dyshuar në këtë përplasje.
Rasti është nën hetim nga njësia e hetimeve të Policisë së Kosovës.