Përleshje mes disa personave në Drenas, Policia sekuestron armë e ‘stupc’ në vendngjarje

Katër persona janë arrestuar dje pasdite në Drenas, pasi të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku bëhet e ditur se si pasojë e përleshjes të dyshuarit kanë marrë lëndime trupore, si dhe përveç tyre është lënduar edhe një dëshmitare.

“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit  pas një mosmarrëveshje janë përfshirë në një rrahje mes vete. Si pasojë e përleshjes lëndime trupore kanë marrë të gjithë të dyshuarit si dhe një dëshmitare kosovare, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, ku në cilësinë e provave materiale kanë sekuestruar një pistoletë me karikator me gjashtë fishekë dhe një shkop druri.

“Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar: Një pistoletë me karikator me gjashtë fishekë si dhe një shkop druri. Lidhur me rastin po ashtu janë kryer kontrolle në tri shtëpitë e te dyshuarve, ku në njërën është gjetur dhe konfiskuar një pushkë pa leje valide dhe tetëmbëdhjetë fishekë”, njofton Policia.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe të njëjtit do të hetohen për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Lexo edhe:  Gjuajtje me armë në Gjilan, një person mbetet i plagosur