Përleshje me armë mes një polici dhe një qytetari në Doganaj të Ferizajt – të dy mbesin të plagosur

Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një përleshjeje me armë zjarri që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Doganaj të Ferizajt.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Sot, më 21 korrik 2025, rreth orës 00:50, policia rajonale ka pranuar një informatë për një rast të gjuajtjes me armë zjarri në fshatin Doganaj. Në këtë incident janë përfshirë dy persona, ku si pasojë të dy kanë mbetur të plagosur”, tha Veseli për Telegrafin.

Sipas Veselit, në përleshje ishin të përfshirë një qytetar që po udhëtonte me veturën “Golf 7” dhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, i cili ndodhej në një veturë “BMW”.

“Për shkak të përfshirjes së një zyrtari policor, është njoftuar menjëherë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me ta dhe me prokurorin kujdestar të krimeve të rënda”, shtoi Veseli.

Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy veturat e përfshira, dy armë zjarri të llojit pistoletë, 16 gëzhoja dhe një predhë.

“Të plagosurit janë dërguar fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas janë transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Sipas stafit mjekësor, ata janë jashtë rrezikut për jetë”, ka deklaruar Veseli.

Ai shtoi se policia ka intervistuar gjithashtu dy dëshmitarë që ndodheshin në njërën nga veturat në momentin e incidentit.

Rasti është cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë

Lexo edhe:  Katër vjet ministre në Kosovë, Donika Gërvalla shkon në Gjermani që të votojë për zgjedhjet e 9 shkurtit