Përleshje masive në Lupç të Podujevës – nëntë persona të familjes Menxhiqi përfshihen në rrahje, disa përfundojnë në spital e disa në ndalim
Një përleshje e dhunshme ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Lupç i Epërm të Podujevës, ku janë përfshirë nëntë anëtarë të familjes Menxhiqi, me ç’rast disa persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe disa të tjerë janë ndaluar nga policia.
Burime të besueshme nga strukturat e sigurisë kanë konfirmuar për Sinjalin se ngjarja ka ndodhur më 2 nëntor 2025, rreth orës 16:50, kur Policia e Podujevës është njoftuar fillimisht për një aksident trafiku, i cili më pas ka degjeneruar në përleshje fizike mes disa anëtarëve të të njëjtës familje.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë njësitë policore, të cilat kanë arrestuar dhe shoqëruar në stacion katër persona të dyshuar:
Jeton Menxhiqi rreth 26-vjeçar
Ardian Menxhiqi rreth 29-vjeçar
Arton Menxhiqi rreth 37-vjeçar
Alban Menxhiqi rreth 34-vjeçar
Njëri nga të përfshirët, Blerim Menxhiqi rreth 44-vjeçar, ka marrë lëndime të rënda dhe është dërguar në QKUK-Prishtinë për trajtim, ku për shkak të gjendjes shëndetësore nuk është intervistuar menjëherë.
Policia ka identifikuar edhe personat tjerë të përfshirë në konflikt – Mirsim Menxhiqi rreth 38-vjeçar, Butrint Menxhiqi rreth 19-vjeçar, Fadil Menxhiqi rreth 46-vjeçar dhe Feriz Menxhiqi rreth 47-vjeçar – të cilëve u është lënë ftesë për paraqitje në stacionin policor, pasi nuk janë gjetur në banesa gjatë kontrollit fillestar.
Në cilësinë e dëshmitarëve janë marrë në pyetje O. M, E.M, N.M dhe F.M, ndërsa në koordinim me Prokurorin kujdestar, rasti është ricilësuar nga “Sulm” në “Lëndim i rëndë trupor” pas ekzaminimeve mjekësore.
Katër të dyshuarit e parë janë ndaluar për 48 orë, ndërsa me datën 3 nëntor 2025, pas intervistimit të personave të tjerë, prokuroria ka urdhëruar ndalimin për 48 orë edhe të Mirsim Menxhiqit dhe Butrint Menxhiqit, ndërsa Fadil, Feriz dhe Blerim Menxhiqi janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë individuale në këtë incident që ka tronditur fshatin Lupç të Epërm të Podujevës.

