Përleshje masive me thika dhe shufra hekuri mes të rinjve në Gjakovë: Pesë të mitur të lënduar

Tetë persona janë përfshirë në një përleshje që eskaloi në tentim vrasje, të dielën në mbrëmje, në rrugën “UÇK” në Gjakovë, ku për pasojë pesë prej tyre mbetën të lënduar. Katër persona janë identifikuar nga Policia, ndërsa të tjerët janë në kërkim.

Siç merr vesh Sinjali, shumica prej të dyshuarve janë të moshës së mitur, të cilët dyshohen se tentuan t’i qërojnë hesapet për mosmarrëveshjet e mëhershme që kanë pasur mes tyre.

Në rrahjen qe eskaloi në përdorimin e mjeteve të mprehta e të rrezikshme, si thika e shufra hekuri, pesë prej tyre kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spital.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se njëri prej tyre është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të plagëve serioze, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë liruar nga spitali.

Pasi Policia ka siguruar informacionet e para për tastin, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit që pësuan lëndime janë intervistuar dhe ndaj tre prej tyre është urdhëruar masa e ndalimit policor.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti po hetohet si ‘Vrasje në tentativë’.

Lexo edhe:  Ky është pacienti që dyshohet se djegu vetën në Klinikën e Psikiatrisë