Përleshje e dhunshme në Skenderaj, tre anëtarë të familjes Lushtaku përfundojnë në spital – ndalohen dy vëllezër nën dyshimin për “Vrasje në tentativë”
Një përleshje e ashpër fizike ka ndodhur pasditen e së martës në rrugën “Azem Bejta” në Skenderaj, ku si pasojë e dhunës së ushtruar janë lënduar tre anëtarë të familjes Lushtaku, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 05.08.2025 rreth orës 18:00, kur palët janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm që dyshohet se ka pasur motive nga e kaluara, pasi paraprakisht kishin pasur raporte miqësore.
Të dyshuar për këtë rast janë dy vëllezër, Jeton Hysenaj, rreth 32-vjeçar dhe Driton Hysenaj, rreth 31-vjeçar, të cilët janë arrestuar nga Policia nën dyshimin për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Viktima të kësaj ngjarjeje janë Xh. L., rreth 54-vjeçar, A. L., rreth 28-vjeçar dhe G.L., rreth 57-vjeçar, të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, ndërsa njëri prej tyre është transferuar në QKUK – Prishtinë. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet policore dhe ato të hetimeve, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë sigurimin e provave dhe intervistimin e palëve.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.