“Për votim të fshehtë duhet të ketë konsensus”, Osmani e bën të qartë se Dehari e ka imponuar tentimin për të votuar Demokracia
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh do të sjellë pasoja juridike për deputetët.
Osmani ka thënë se votimi i fshehtë lejohet, por se për të duhet të ketë konsensus në mes të deputetëve.
“Lejohet si mundësi, por duhet të ketë vendim të seancës, të pyeten deputetët”, tha ajo.
Osmani gjithashtu ka paralajmëruar se nëse nuk ndodh konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, atëherë deputetët do të përballen me pasoja juridike.
Deklarata e saj vjen në kohën kur procesi i konstituimit të legjislaturës së re është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve ndërpartiake mbi mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit.
Në një deklarim për media pas ceremonisë së betimit të 18 kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Osmani ka thënë se, ndonëse votimi i fshehtë si procedurë është i lejuar, për të duhet të ekzistojë konsensus në mes të deputetëve dhe vendim i seancës.
“Kemi pasur takime të mira, por natyrisht që partitë kryesore i kanë qëndrimet ende diametralisht të kundërta, por kjo nuk do të thotë që brenda këtij afati nuk do të ketë afrim. Ka disa gjëra që mund të ketë afrim. Bllokada e tanishme te lloji i votimit është shumë, shumë jo racionale. I kemi edhe dy ose tri lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese rreth mënyrës së votimit. Nuk e di nëse në këto lëndë është kërkuar masë e përkohshme që të mos ecë afati, nëse nuk ka masë të përkohshme për mosrrjedhjen e afatit, neve na kanë mbetur më pak se 25 ditë dhe aktgjykimi i Gjykatës nuk e lejon si opsionale konstituimin brenda 30 ditësh, por e qartësoj duke marrë për bazë edhe interpretime të shteteve të ndryshme në sistem të ngjashëm kushtetues, e sa herë që kjo është e detyrueshme. Ajo çka e kam përmendur është që kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetues, do të thotë se moskryerja e detyrimit nuk ec pa pasoja – do të ketë pasoja juridike. Nuk është që ne mund të presim që Gjykata do të thotë: mirë, pas 30-ditësh vazhdoni njësoj. Nuk pres që do të ketë diçka të tillë. Unë planifikoj, në qoftë se nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt, që t’i drejtohem Gjykatës me kërkesë për sqarim, lidhur me atë se çka pas 30 ditësh, sepse dua të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh”, ka thënë Osmani.