Pejani e bën llom bashkëshorten me të cilën kërkon të divorcohet, 41-vjeçarja përfundon në spital

Dhjetëra raste të dhunës në familje raportohen çdo ditë pranë Policisë së Kosovës, ku viktima janë kryesisht gratë, të cilat pësojnë nga bashkëshortët apo familjarët e tjerë. E një tjetër rast i dhunës në familje, ku gruaja dhunohet fizikisht dhe psiqikisht nga bashkëshorti ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Nurije Zeka”, në Pejë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se viktima dhe i dyshuari gjersa ishin në shtëpi, ishin duke diskutuar me zë të lartë dhe në vazhdën e kësaj mosmarrëveshje verbale, i dyshuari kërkon shkurorëzimin nga viktima dhe në nerva e sipër fillon të ushtrojë dhunë të tejskajshme fizike ndaj bashkëshortes së tij.

I dyshuari e kishte shtrënguar për qafe viktimën 41-vjeçare dhe derisa po e mbante në qafë, e kishte grushtuar disa herë në fytyrë dhe për shkak të këtyre lëndimeve, viktimës i është ofruar tretman mjekësor.

Sinjali mëson se pas intervistimit të viktimës, e njëjta ka shkuar në shtëpinë e prindërve të saj, së bashku me 3 fëmijët që i ka nga martesa e përbashkët me të dyshuarin, e që tanimë janë nën përkujdesje të nënës.

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje, me ç’rast është arrestuar personi i dyshuar i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij u caktua masa e ndalimit policor për 48-orë.

Lexo edhe:  Dështon procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri