Pas vërshimeve në Onkologji, Drejtori i kësaj klinike del me njoftim për pacientët që u ka kaluar termini i rrezatimit
Reparti i Radioterapisë të hënën është kthyer në funksion pas dy javë kur si shkak i vërshimeve ishin ndërprerë rrezatimet e pacientëve të prekur nga kanceri.
Ky repart tani për tani është duke funksionuar vetëm me një aparat për rrezatim, derisa pritet që së shpejti të funksionalizohet edhe aparati tjetër. Stafi i Klinikës Onkologjike do t’i thërrasë pacientët sipas radhës për të vazhduar me rrezatime.
Të gjithë pacientët e prekur nga kanceri e që janë në trajtim me rrezatim, do të vazhdojnë t’i marrin terapitë pa pasur nevojë të shkojnë jashtë vendit. Sapo dëgjoi se është rikthyer në funksion Shërbimi i Raditerapisë në Klinikën Onkologjisë, Shaban Zilega nga fshati Savrovë i Therandës erdhi që të merrte terapinë. Ani pse nuk ishte në listë, stafi i radioteapive ia mundësoi që t’i kryente rrezatimet.
Megjithatë, pacientët duhet të presin derisa stafi i Onkologjisë ti thërrasë për radioterapi, sepse në funksion tani për tani është veç njëri nga aparatet për rrezatime.
“Një aparat është lëshuar në funksion dhe sot ka punu pa problem. Por ne në repart punojmë me dy aparate, njëri aparat është ende në testim, nuk është lëshu. Pacientët që e kanë ndërpre rrezatimin ne kemi fillu me i thirrë dhe ata kanë fillu me u rrezatu”, tha për RTK Sonja Blakaj shefe e Repartit të Radioterapisë.
Ekipi për testim të aparatit tjetër për rrezatime është duke provuar të funksionalizojë atë. Të parët për të marrë shërbimet në këtë repart do të thirren ata që e ndërprenë trajtimin e më pas ata që ishin planifikuar për rrezatim. Onkologët do të kujdesen që të bëjnë edhe modifikimin e dozave për pacientët.
“Specialistët që merren me radioterapi do të shikojnë mundësinë që të gjithë këta pacientë që kanë pritë dy javë, që nuk kanë marrë shërbimin e radioterapisë të bëjnë kalkulimin e dozave, modifikimin e dozave që lejohet me standardet dhe protokolet ndërkombëtare në mënyrë që efekti radio-biologjik te këta pacientë që kanë pasë të marrin dozën totale – standard ta marrin atë që të mos humbin asgjë dhe të mos pësojnë diçka në lidhje me shëndetin e tyre”, tha Ardian Millaku Drejtor në Klinikën e Onkologjisë.
Dy javë më parë Reparti i Radioterapisë, si pasojë e vërshimeve, i kishte ndërprerë të gjitha shërbimet për pacientët.