Pas reshjeve të shiut e borës – Policia e Kosovës apelon qytetarët për kujdes të shtuar në rrugë
Policia e Kosovës ka bërë apel të rëndësishëm për qytetarët, duke kërkuar kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë të mbuluara me ujë dhe borë, për shkak të kushteve atmosferike të paqëndrueshme.
Sipas njoftimit të policisë, apelohen të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht shoferët, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës. Po ashtu, ata duhet të mbajnë distancën e sigurisë mes mjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen
kur kalojnë në rrugë të mbuluara me ujë e borë.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike, reshje të shiut dhe borës dhe ulje të temperaturave, Policia e Kosovës APELON të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferët për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës së sigurisë në mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me ujë e borë,” thuhet në njoftimin e policisë përcjell Insajderi.
Reshjet e shiut dhe borës kanë filluar që nga orët e para të mëngjesit të sotëm dhe pritet të vazhdojnë, duke përkeqësuar kushtet e trafikut në shumë pjesë të Kosovës.
Policia e Kosovës i bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut për të shmangur aksidentet.