Pas raportit të psikiatrisë, vëllai i Liridona Ademajt: Naim Murseli po përpiqet ta zvarrisë procesin
Leonard Ademaj, vëllai i së ndjerës Liridona Ademaj, ka folur lidhur me zhvillimet më të fundit në procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, kryesori i dyshuar për organizimin e vrasjes së motrës së tij.
Ai komentoi raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, i cili ka konfirmuar se Naim Murseli nuk ka asnjë të metë mendore. Sipas Leonardit, përpjekja për ta paraqitur si të pa përgjegjshëm ishte një strategji për të zvarritur gjyqin dhe për të shmangur drejtësinë.
“Naimi këtë e kishte si kartë të fundit me të cilën mund ta zvarriste procesin gjyqësor. Po besoj se Prokuroria dhe Gjykata do ta marrin si të tillë këtë çështje dhe do të vazhdojnë me procesin, pa lejuar më që ai të zvarritet”, u shpreh ai nënë RTV Dukagjini .
Leonardi përsëriti qëndrimin se Naim Murseli është organizatori i vrasjes së Liridonës, së bashku me Kushtrim Kokallën, ndërsa ekzekutori është Granit Plava. Ai theksoi se familja pret nga drejtësia dënimin maksimal për të tre të përfshirët, si një mesazh për shoqërinë që veprimet kriminale nuk do të tolerohen.
“Për ne dihet qartë se Liridona nuk kthehet më, edhe nëse dënimi është maksimal. Por ajo që duam është që këta të dënohen dhe të japim një mësim për të gjithë ata që mund të tentojnë diçka të tillë”, ka shtuar ai.
Ai po ashtu bëri të ditur se seanca gjyqësore e radhës për këtë rast do të mbahet të hënën e ardhshme, duke kërkuar që drejtësia të mos lejojë më vonesa në këtë proces të ndjeshëm publikisht dhe emocionalisht për familjen dhe opinionin.