Pas përgjigjes pozitive të Hamasit, Trump mesazh Izraelit: Menjëherë ndaloni bombardimet në Gaza

Pas përgjigjes pozitive të grupit palestinez Hamas ndaj dokumentit për armëpushimin në Gazë të propozuar nga SHBA-ja, u deklarua edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

Në disa mesazhe në rrjetin social Truth Social, ai fillimisht ndau një letër që kishte marrë nga organizata palestineze, në të cilën theksohet se ata janë të gatshëm për një marrëveshje për dorëzimin e pengjeve si dhe për dorëzimin e pushtetit në Gaza.

Shumë shpejt, 79-vjeçari reagoi sërish në rrjetet sociale dhe, krahas një statusi dhe një videomesazhi, foli për paqen në Gazë.

“Bazuar në deklaratën e publikuar nga Hamasi, besoj se ata janë të gatshëm për paqe të përhershme. Izraeli duhet menjëherë të ndalojë bombardimet në Gazë, në mënyrë që të mund të shpëtojmë pengjet në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë! Aktualisht është shumë e rrezikshme për ta bërë këtë. Ne tashmë jemi në bisedime për detajet që duhen përpunuar. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gazën, por me paqen e shumëkërkuar në Lindjen e Mesme”, deklaroi lideri amerikan.

 

Trump gjithashtu tha se kjo është një ditë e madhe për Lindjen e Mesme.

“Duhet të marrim një vendim konkret dhe përfundimtar”, shtoi ai, duke pranuar se negociatat e mëtejshme ende duhet të mbahen.

Lëvizja Hamas publikoi të premten në mbrëmje përgjigjen zyrtare për përfundimin e luftës në Gazë, disa orë pasi ai dha një ultimatum që deri të dielën në orën 18:00, sipas kohës së Uashingtonit, të pranohet plani i paqes, përndryshe do të pasojë “ferri që bota nuk ka parë ndonjëherë”.

Në deklaratë, Hamasi bën të ditur se, pas konsultimeve të gjera me udhëheqësinë e tij, fraksionet palestineze, ndërmjetësuesit dhe “shtetet mike”, ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht pikave kyçe të propozimit.

Lexo edhe:  Aksidenti tragjik: Pamje nga momenti kur ekipet e shpëtimit kërkojnë të aksidentuarit në Badoc

Lëvizja theksoi se vlerëson përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe iniciativën e presidentit Trump, me synimin për përfundimin e luftës, shkëmbimin e të burgosurve, hyrjen urgjente të ndihmës humanitare, ndalimin e okupimit dhe ndalimin e zhvendosjes së popullit palestinez.

“Hamasi, në këtë kuadër dhe me qëllim arritjen e një armëpushimi të plotë dhe tërheqjes së forcave izraelite nga Gaza, njofton pajtimin që të lirojë të gjithë pengjet izraelite, të gjallë dhe trupat e të vdekurve, në përputhje me shkëmbimin e parashikuar në planin e Trump, me kusht që të sigurohen kushtet në terren për zbatimin e këtij procesi”, thuhet në tekst