Paratë false në Kosovë, ish-guvernatori i BQK-së: Të ndryshohet metoda e pagesave

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka folur mbi monedhat dhe kartëmonedhat e falsifikuara që po qarkullojnë në vend kohëve të fundit.

Mehmeti tha se në Kosovë, parat e falsifikuara mund të jenë të shpeshta, pasi në vend është një ekonomi që qarkullon me vlera të larta me para ‘cash’, për dallim me shtetet e tjera të cilat kanë metoda alternativa tjera të pagesave.

“Përgjithësisht klientët nuk janë në dijeni, që janë duke futur një monedhë- kartëmonedhë të falsifikuar në bankë. Sektori bankar në Kosovë  përdor identifikimin e kamerave apo me aparatet e numërimit të kesh-it, që përveç numërimit bëjnë dhe identifikimin e elementëve të sigurisë”.

“Por, në këto raste thirrja ime për qytetarët  është që duhet të shmangin pagesat me ‘cash’, pasi mundësitë për të rënë në kontakt me monedhë- kartëmonedhë të falsifikuara janë më të mëdha”.

“Çdo biznes, por edhe qytetari do të duhet të jetë i kujdesshëm në qarkullimin e kartëmonedhave. Veprimet financiare me monedha-kartëmonedha duhet t’i bëjnë nëpërmjet bankave për të evituar keqkuptimet, për të evituar mundësinë që dikush në një moment të caktuar t’i pasojë një monedhë- kartëmonedhë të dyshuar si të falsifikuar”, tha Mehmeti për Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se trajnimet mbi elementet e sigurisë së monedhave dhe kartëmonedhave do të ishin të domosdoshme që të mbahen nga institucione të specializuara.

“Në këtë rast edhe vet institucionet që kanë qarkullime të mëdha të parave ‘cash’ duhet të investojnë në trajnime të stafeve të tyre mbi elementët e sigurisë së monedhave- kartmonedha, dhe njëkohësisht kushdo që qarkullon apo ka lidhje me përpunimin e ‘cash’-it të pajiset me të njëjtat makineri dhe të përditësohet çdo vit, në këtë rast kjo mund të ju duket si kosto, por kjo do të mbajë larg këta persona që duan të kanalizojnë monedha-kartëmonedha false”, tha ai.

Lexo edhe:  I burgosuri që akuzohej për fajde iu iku nga spitali – ShKK pezullon nga puna dy zyrtarë korrektues

Mehmeti tha se BQK-ja duhet të vazhdojë me marrjen e masave për mbrojtjen nga falsifikimi, e në këtë rast, sipas tij, edukimi financiar duhet që nëpërmjet trajnimeve, kualifikimeve dhe pjesëmarrjes në seminare, të bëjë vetëdijësimin e qytetarëve për t’i informuar, orientuar dhe trajnuar ata, lidhur me elementet e sigurisë të kartëmonedhave si dhe faktorëve të tjerë që sjellin minimizimin e falsifikimit të tyre.

Kujtojmë se vetëm sot, Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona dhe ka sekuestruar mbi 85 mijë euro në monedha 2-euroshe të cilat ishin të falsifikuara.