Paratë false i bëjnë telashe bankat në Kosovë, zbulohet edhe një rast në Prishtinë
Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro.
Në kartëmonedhë që dyshohet se është e falsifikuar ka hasur edhe punëtori i një banke në rrugën ‘Gjilani’ në Prishtinë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtari i bankës ka njoftuar se në kutinë e depozitorit të bankomatit ka vërejtur një kartëmonedhë në vlerë të 100 eurove që dyshohet se është e falsifikuar.
Kartëmonedha është konfiskuar për ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikimi i parasë’.
Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.
Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.