Paratë false i bëjnë telashe bankat në Kosovë – zbulohen tri raste në Prishtinë, Prizren e Mitrovicë

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Një kartëmonedhë që dyshohet të jetë e falsifikuar është vënë re edhe nga një punonjëse e bankës ‘NLB’ në rrugën ‘Ukshin Hoti’ në Prishtinë. Ajo ka denoncuar rastin në Polici dhe më pas kartëmonedha është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Po ashtu në Prizren është zbuluar se një person ende i paidentifikuar ka deponuar në bankomatin e bankës ‘Raiffeisen’ mbi 1 mijë euro false. I dyshuari ka deponuar dy kartëmonedha nga 500 euro dhe një 100 euro, të cilat janë sekuestruar nga Policia.

Një tjetër rast është denoncuar në Mitrovicë, ku zyrtari i bankës ‘Pro Credit’ ka hasur në disa kartëmonedha e monedha metalike të cilat gjithsej kapin vlerën e mbi 300 euro e që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Me urdhër të prokurorit, kanë nisur hetimet veç e veç për rastet e mësipërme nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikim i parasë’.

Lexo edhe:  Njësia e Reagimit të Shpejtë e kap prishtinasin me armë në brez, i dyshuari shoqërohet në stacion