Parashikimi i motit për sot dhe gjatë vikendit
Sot pritet mot paksa më i ndryshueshëm, me intervale kohore me diell dhe vranësira të shpeshta të cilat në disa zona mund të kushtëzojnë reshje të dobëta shiu. Vonë në mbrëmje ose afër mesnatës vranësira më të dendura nga lindja pritet të sjellin reshje më intensive shiu në shumë pjesë të Kosovës. Në viset më të larta malore priten reshje shqote e bore.
Temperatura maksimale pritet të arrijë deri në 14 apo 15 gradë Celsius.
Në Shqipëri pritet mot më stabil dhe me diell, ndërsa më shumë vranësira priten në lindje të vendit dhe vendet malore. Gjatë natës vranësirat intensifikohen duke kushtëzuar edhe reshje dhe rrebeshe lokale shiu por jo në të gjitha viset. Në malet e larta reshje shqote e bore.
Në Maqedoni nesër gjatë dites priten vranësira e intervale kohore me diell, por pa reshje. Në mbrëmje vranësira më të dendura vijnë me reshje shiu. Gjatë natës priten reshje paksa më intensive shiu në shumë pjesë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në bjeshkët e larta pritet shqote e borë. Reshje gjatë natës priten edhe në Luginë të Preshevës, madje priten reshje intensive nganjëherë. Në Mal të Zi shumë pak reshje.
Dita e Premte pritet të karakterizohet me vranësira e në disa zona priten intervale kohore me diell. Në shumë pjesë të Kosovës priten reshje të herëpashershme lokale shiu.
E Shtuna sjellë vranësira të reja, por kësaj radhe nga Mesdheu. Fillimisht në Shqipëri pritet të fillojnë reshje të reja shiu të cilat shumë shpejt pritet të përhapen edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore. Në viset bregdetare dhe zonat afër do të ketë rrebeshe dhe stuhi lokale me vetëtima dhe bubullimë.
Të dielën ngrohtë në Kosovë, me vranësira e intervale kohore me diell, ndërkaq reshje të reja lokale priten vonë pasdite apo në mbrëmje. Në Shqipëri priten rrebeshe të reja./MeteoBallkan

