Parashikimi i motit për sot dhe gjatë vikendit

Sot pritet të ketë përmirësim të motit, por ende priten vranësira, riga të dobëta shiu e erëra të freskëta nga veriut. Vranësira të dendura mund të ketë ende në mëngjes me mundësi për ndonjë rigë shiu.

Mëngjesi do të jetë mjaft i freskët, ndërsa dita me alternime mes vranësirave e intervaleve kohore me diell ku në disa zona mund të ketë ndonjë rigë ose rrebesh të shkurtër shiu. Në përgjithësi atmosfera do të ketë tendencë stabilizimi. Temperaturat maksimale pritet të luhaten nga 18-19 në Rrafshin e Kosovës deri në 21 apo 22 gradë Celsius në Dukagjin.

Gjatë tërë ditës do të vazhdojnë të fryjnë erëra mjaft të freskëta nga veriu, verilindja e veriperëndimi.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi të Premten pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të cilat mund të shoqërohen me ndonjë reshje të dobët lokale. Në tërë rajonin moti do të ketë tendencë stabilizimi gradual, ndërsa temperaturat fillojnë të rriten menjëherë në zonat mesdhetare e më ngadale në zonat kontinentale.

Fundjava vjen me përmirësim të dukshëm të kushteve të motit. Intervalet me diell do të jenë gjithnjë e më të gjata, por nuk do të mungojnë vranësirat lokale. Temperaturat do të shënojnë rritje të ndjeshme sepse do të kemi fillimin e depërtimit gradual të masave ajrore të nxehta me origjinë nga Afrika veriore dhe kjo do të ndjehet sidomos të dielen./MeteoBallkan

Lexo edhe:  Ambasada amerikane uron kadetët kosovarë të diplomuar në Akademinë ushtarake më prestigjioze në botë