Parashikimi i motit gjatë vikendit

Sot presim të kemi përmirësim të dukshëm të motit. Parashihen orë më të shumta me diell dhe vranësira më të pakta lokale dhe rrallë në ndonjë rajon malor mund të ketë ndonjë rigë shiu. Temperaturat shënojnë rritje dhe ajo maksimale parashihet deri në 22 gradë Celsius. Do të fryjnë erëra nganjëherë të freskëta nga verilindja.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi po ashtu pritet përmirësim i motit me orë të tëra me rreze diellore, ndërsa vranësirat do të jenë më të pakta, megjithatë pasdite parashihen disa zhvillime me ndonjë rigë ose rrebesh të dobët shiu kryesisht në juglindje të Shqipërisë dhe jugperëndim të Maqedonisë së Veriut. Dy tri mëngjeset e ardhshme në disa lugina do të ketë mjegull afatshkurtër.

Të dielën erërat do të dobësohen pothuajse plotësisht dhe pritet të fryjnë të lehta drejtimesh të ndryshme. Temperaturat shënojnë rritje të mëtutjeshme dhe po ashtu pritet të kemi shumë orë me diell. Temperaturat maksimale në bregdet deri në 26 apo 27 gradë Celsius. Në Kosovë deri në 23 apo edhe 24 gradë Celsius.

Fillimi i javës së re i ngrohtë dhe ende me diell, ndërsa në bregdet do të ketë shtim gradual të vranësirave. Erërat do të fillojnë të fryjnë nga jugu duke paralajmëruar shira të reja në bregdet./MeteoBallkan

Lexo edhe:  Deputetja e VV-së: Nuk ka më arsye të kemi ushtarë të KFOR-it në Urën e Ibrit