Paralajmërimi i Jasharajt: Në vend të nxënësve dhe ziles, në shtator mësimdhënësit në grevë

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për Ekonominë Online ka bërë ditur se që nga shtatori çerdhet, shkollat, pastaj edhe universitetet, por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme, pasi qeveria “Kurti” nuk i ka përfillur kërkesat e sindikatave për dialog dhe se kjo qeveri nuk po i fton sindikatat për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave.

Tutje, ai tha se kërkesat e tyre janë 100 euro shtesë në paga, duke shtuar se më 10 gusht do të mbajnë edhe një mbledhje e jashtëzakonshme me Kryesinë e BSPK-së.

Në qoftë se nuk reflekton Qeveria edhe më 1 shtator, Jasharaj theksoi se në vend të nxënësve dhe ziles, mësimdhënësit do të jenë në grevë.

“Të gjithë këto angazhime jemi duke i bërë në kuadër të BSPK-së, ku jemi pjesë bashkë me federata të tjera. Më 14 kishim takimin e jashtëzakonshëm të BSPK-së dhe analizuam situatën dhe fatkeqësisht erdhëm në përfundim se as angazhimi ynë i fundit dhe i vetmi që na kishte mbetur pas protestave dhe grevave nuk ka dhënë rezultat, ngase Qeveria nuk i është përgjigjur as ndërmjetësuesit me çka ka treguar se është kundër dialogut. Edhe në kuadër të BSPK-së në takimin e Këshillit Drejtues është marrë vendimi që më 10 gusht të mbahet edhe një mbledhje e jashtëzakonshme e Kryesisë së BSPK-së dhe ky rrugëtimi ynë fatkeqësisht në mungesë të dialogut po na tregon drejt grevave. Ne do të fillojmë me grevë para se të fillojë viti shkollor pra me 24 kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do të kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim grevën do ta fillojmë një javë para se të fillojë mësimi me shpresë se kjo do të ndikojë te Qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”.

Lexo edhe:  Ulet dënimi për tre muaj ndaj Haradinajt dhe Gucatit

“Në qoftë se më 24 dhe më 1 shtator Qeveria nuk reflekton, atëherë opinioni le ta dijë me se më 1 shtator startojmë me grevë, ku në vend të nxënësve dhe ziles do të kemi mësimdhënës, po jo në punë, por në grevë dhe do të zgjasë derisa të realizohen kërkesat tona. Vazhdimisht kemi insistuar që çerdhet të mos jenë pjesë e grevave për shkak se po tentohet një pjesë e qytetarëve tanë që nuk kanë faj dhe i kanë fëmijët në këto çerdhe, mirëpo ata kanë insistuar dhe nuk mund t’i largojmë nga greva. Sa i takon SBASHK-ut, më 1 shtator do të kemi grevë në çerdhet e Kosovës në arsimin parauniversitar, në fillore e të mesme. Nëse zgjat greva deri më 1 tetor do t’i kemi edhe universitet në grevë”, tha Jasharaj.