Paraburgoset shtetasi shqiptar, i arrestuar për drogën milionëshe të sekuestruar në Pejë

Departamenti Për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Pejë, i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Aleks Gerbi, shtetas i Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Në aktgjykimin e Gjykatës thuhet se Gerbi është i dyshuar për përfshirje në kultivimin e drogës në fshatrat Kliçin dhe Sferkë të Pejës, ku gjatë ditës së djeshme, Prokuroria e Pejës dhe Policia e Kosovës zhvilluan një aksion të madh anti-drogë, ka mësuar Klankosova.

Në fshatrat e sipërpërmendura është gjetur sasi e madhe e drogës, e cila është vlerësuar të arrijë shumën e rreth 5 milionë eurove.

I pandehuri Gerbi është i lindur në vitin 1974 në fshatin Qesarat të Tepelenës, Republika e Shqipërisë, ndërsa në Kosovë nuk ka adresë.

Sipas Gjykatës, në Kosovë ai “jeton në pyll”.

Gjykata ka bërë me dije se të paktën edhe nëntë persona janë të dyshuar në këtë rast, të cilët janë shpallur në kërkim.

Lexo edhe:  77-vjeçari në Lipjan denoncohet për dhunë nga gruaja me të cilën bashkëjetoi, ajo refuzon të kthehet me të