Para nisjes së gjyqit, Rama për Thaçin: Vetë Biden e cilësoi si Washingtoni i Kosovës
Ish-presidenti Thaçi dhe të tjerët të hënën do të dalin përpara gjyqit në Hagë me akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Para kësaj seance, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar për këtë ngjarje, duke pyetur se a mund të jenë kriminelë ata që e udhëheqin popullin e tyre drejt lirisë. Këtu, Rama përmend edhe presidentin amerikan dhe një cilësim që ai ia kishte bërë Thaçit.
“A duhet të konsiderohen kriminelë ata që e çojnë popullin e tyre drejt lirisë kundër regjimeve brutale? Është një mendim shqetësues, sidomos duke pasë parasysh se njeriu në këtë foto dikur u përshëndet si George Washington i Kosovës nga vetë Joe Biden!”, ka shkruar Rama në Twitter, duke shpërndarë edhe lajmin nga Reuters për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kryeministri shqiptar e kishte ngritur gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve edhe në shumë fjalime të tij ku audienca ishte e huaj.