Pamje të rënda pasi ariu sulmoi bagëtinë në një fermë të Vitisë
Një kope bagëtie është sulmuar nga një ari të premten, në fshatin Shoshare rreth 13 kilometra larg Vitisë, raporton PlusTV.
Pronari Xhevxhet Ferizi, ka treguar se ferma e tij është sulmuar nga ariu ku afër stallës ka gjetur një lopë të mbytur dhe një të plagosur rëndë.
“Kemi probleme me arinjtë dhe ujqërit, jam i dëmtuar nga sulmi që ka ndodhur të premten, një lopë e kemi gjetur të mbytur dhe një të plagosur keq. Ariu ka hyrë brenda në stallë, dhe ka sulmu lopët. Nuk ka ndodhur më parë diçka kështu“, thotë ai.
Ky rast ka shkaktuar frikë tek fermerët për shkak se arinjtë asnjëherë nuk kishin sulmuar kopenë e bagëtive.
Një bujk në Shoshare teksa tregon për ngjarjen shprehet i shqetësuar për lopët e tij. Izer Xhymshiti thotë se vetë i kishte parë një ditë afër fermës së tij dy arinjë.
“Edhe unë këtu në fshatin Shoshare kam stallën me rreth 20 lopë. Jemi të rrezikuar nga ariu. Sulmi nga ariu te kojshiu afër ka ndodhur të premten mëngjes, kemi gjetur një lopë të mbytur. Në këtë fshat jemi disa fermerë që kemi bagëti, lopë e dele. Vet një ditë i kam parë dy arinjë këndej pari“, shprehet Xhymshiti.
Këta dy blegtorë thonë se për të mbrojtur bagëtinë e tyre, ata do të duhet të bëjnë kujdestari edhe gjatë natës. Lopa e mbytur u gropos me ndihmën e Drejtorisë për Bujqësi në Viti, derisa në vend të ngjarjes kishin dalur edhe policia.
Nga stacioni policor në Viti konfirmuar për televizioni këtë rast duke thënë se janë ndërmarrë veprime dhe është njoftuar inspektori komunalë. Ndryshe blegtorët vitias kërkojnë më shumë përkrahje nga shteti.