Pamje nga operacioni policor në rajonin e Prizrenit- Arrestohen 6 persona të dyshuar për fajde, vlera monetare mbi 1 milion euro

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në vazhdën e luftës kundër veprimtarive kriminale, në koordinim me Prokurorinë Themelore sot ka realizuar një operacion të gjerë policor në Prizren dhe në Suharekë.
Operacioni policor është shtrirë në 6 lokacione të ndryshme, ku janë arrestuar 6 persona të dyshuar, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të ‘fajdesë’ dhe ‘detyrimit’.

“Gjatë zbatimit të operacionit policor, është realizuar urdhër-kontrolli i gjykatës, ku në vendbanimet e personave të dyshuar janë sekuestruar: 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione, si: kontrata, para-kontrata, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar”,thuhet në njoftim.

Po ashtu u theksua se të dyshuarit në këtë rast, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.

“Të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro.

Të dyshuarit pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga PTh- Prizren, ndalohen për 48 orë”.

Në lidhje me këtë rast nga Prokuroria janë publikuar edhe disa pamje të realizimit të operacionit nga ana e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me organet e tjera të hetuesisë në vend

Lexo edhe:  Ky është “fast food” në Mitrovicë ku u helmuan 30 nxënës, mbyllet nga AVUK