Pamje nga operacioni i arrestimit të policit të Kosovës që dyshohet se spiunoi për BIA-n

Një operacion i rrallë spiunazhi u zhvillua këtë të enjte, më 17 korrik, në Kosovë. Objektiv i këtij operacioni ishte një zyrtar i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq ,cili dyshohet për rrjedhje të informacioneve të ndjeshme te shërbimet sekrete të shtetit serb.

Televizioni Dukagjini ka publikuar pamje nga arrestimi i tij dhe operacioni i sotëm i Inspektoratit Policor të Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë Speciale.

Krejt çka ndodhi në këtë operacion

E dyshimet janë të forta, se ai bashkëpunoi me BIA-n serbe duke shpërndarë informacione konfidenciale me ta.

“Janë dyshime të bazuara, janë dyshime të provuara nga ana e IPK-së në bashkëpunim me AKI-në ku i kemi faktu dyshimet tona lidhur me veprën penale “spiunazhi””, ka thënë drejtori i hetimeve në IPK, Bardhyl Haxhimustafa.

Dhe gjithçka shkoi sipas planit, kur ai kishte marr rrugën për tu nisur në punë, në pritë i dolën hetuesit e iu kumtua arsyeja e prangosjes.

Urdhri i Prokurorisë është që menjëherë pas ndalimit, hetuesit të nisën për bastisje.

Në shtëpinë e të dyshuarit për spiunazh hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës aktualisht po kryejnë bastisje.

Bastisja disa orëshe në shtëpinë e Bojan Jetviqit nuk i la duarthatë hetuesit e forenzikën e Policisë së Kosovës.

Aty janë gjetur disa dokumente, që organet e drejtësisë besojnë se janë prova konkrete për bashkëpunimin e zyrtarit policor serb me BIA-n.

Gjithashtu, është konfiskuar edhe një armë e padeklaruar dhe mijëra para të gatshme.

Pas kësaj bastisjeje, radhën e ka zyra e të dyshuarit tek pika kufitare, Dheu i Bardhë.

Që në bazë të planit është pika e dytë që po bastiset, merren veprime edhe për suspendimin e tij.

“Është informuar Shefi i Operativës së Drejtorisë rajonale të Policisë kufitare i cili e ka përfunduar suspendimin e zyrtarit policor për 72 orë apo tre ditë pune. Do të bëhet rekomandimi tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe vazhdon suspendimi i zyrtarit deri në përfundim të hetimit”, ka thënë Haxhimustafa, drejtor i hetimeve në IPK.

Lexo edhe:  Dyshohet se janë gjetur eshtra të një njeriu brenda një veture të djegur në Podujevë

Pas kësaj bastisjeje, ekipet nisen drejt objektit të Inspektoratit Policor të Kosovës, ku Bojan Jetviq, që është pjesë e Policisë së Kosovës qe 23 vjet, do të merret në pyetje.

Operacioni që përfundoi me sukses, siç u planifikua, nuk do të ishte i mundur pa një bashkëpunim të kahershëm të institucioneve të vendit.

Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj këtë bashkëpunim po e vlerëson jetik.

“Fillimisht informacionet kanë ardh nga AKI-ja dhe janë përpunuar pastaj në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, kemi arrit që të krijojmë dyshimin e arsyeshëm dhe të bazuar për të realizuar këto veprime sot dhe besoj që është një shembull i mirë që ku institucionet e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë në këtë nivel edhe rezultatet janë të tilla”, ka thënë Hodaj.

Bojan Jetviq kishte bartur gradën e togerit në Policinë e Kosovës dhe kryesisht aktivitetin e tij profesional e ka në zonën e Anamoravës, ndërsa jeton në një fshat të Komunës së Kamenicës.

Detaje për aksionin ka dhënë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, që treguan se gjatë bastisjeve, janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.