Pamje: Momenti kur shembet objekti ku vdiqën tre fëmijë

Gjakova e gjithë Kosova janë tronditur si pasojë e një tragjedie ku humbën jetën tre fëmijë.

Si rezultat i shembjes së një objekti të pabanueshëm në fshatin Jabllanicë, vdiqën tre të mitur.

Nacionale ka siguruar disa pamje të kamerave të sigurisë në afërsi, ku shihet momenti kur ky object është shembur.

Edhe pse kamerat janë nga një distancë e madhe, dëgjohet edhe zhurma e shembjes ku si pasojë humbën jetën tre të miturit.

Në sekondat e parë të videos të cilën e ka siguruar Nacionale, shihet një objekt në anën e djathtë të incizimit. Pas disa sekondave, dëgjohet një zhurmë e madhe dhe shihet pluhuri nga shembja.

Xhirimet e këtyre kamerave kanë kapur edhe momentin kur Policia e pranon informatën, pasi deri rreth orës 23:00, nuk dihej se objekti kishte zënë fëmijë brenda.

PËR TA PARË VIDEON KLIKONI KËTU

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin.

“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Jabllanicë, Gjakovë 01.02.2025-23:00. Raportohet se në rrethana të panjohura është shembur një objekt, dhe si pasoj tre viktimat meshkuj kosovarë të mitur të cilët kanë qenë duke qëndruar brenda saj janë zënë nga pllaka. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimave. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion.”, thuhet në njoftim.

Reagime ka pasur edhe nga ana institucionale.

Ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre. Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër”, ka shkruar Osmani.

Lexo edhe:  Këngëtarja Teuta Selimi ‘pre’ e dhunës në familje, e denoncon burrin dhe vëllaun e saj në Polici

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllime për rastin.

“Është e dhimbshme dhe e papërshkrueshme humbja e jetëve të tre të miturve në Jabllanicë të Gjakovës. Bëj thirrje që në kohën sa më të shpejtë të kemi hetim të imtësishëm e të tërësishëm të rastit. Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët që humbën më të dashurit e tyre, në këto momente jashtëzakonisht të vështira për ta dhe gjithë shoqërinë tonë, duke u lutur që të gjejnë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të madhe!” – ka shkruar tutje kryeparlamentari.

Ka reaguar edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.

“Jam i tronditur nga lajmi per humbjen e jetes se tre femijeve ne Jabllanice sonte!Ngushellimet e mia me te sinqerta per familjet! Nuk ka fjale qe e shprehin dhimbjen! Le te bsjme krejt cka mundemi te jemi me familjet ne keto caste te renda! Qofshin te parajses engjujt!” – ka shkruar ai në Facebook.