Paga e 13 për punëtorët e sektorit publik, Murati sqaron se kujt i takon

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur pas mbledhjes së Qeverisë për procesin e ardhshëm në Kuvend dhe planin buxhetor të Kosovës.

Murati ka thënë se kryesia e Kuvendit duhet të përfundojë formimin e komisioneve parlamentare për të mundësuar ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe miratimin në lexim të parë të projektligjit të buxhetit.

Ai shtoi se marrëveshjet ndërkombëtare nuk kërkojnë lexim të dytë dhe hyjnë menjëherë në fuqi, ndërsa për buxhetin duhet leximi i dytë në ditët në vijim.

“Sa i përket buxhetit po besoj që kryesia e Kuvendit do të duhej të ishin në procesin e formimit të komisioneve parlamentare, gjë që e mundëson pastaj fillimin e punimeve…Shpresoj që të arrinë t’i kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme në mënyrë që sot të kemi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe miratimin në lexim të parë dhe të projekt ligjit të buxhetit. Për marrëveshjet ndërkombëtare nuk nevojitet lexim i dytë, hynë në fuqi menjëherë ndërsa për buxhetin nevojitet edhe leximi i dytë që po besoj se do të duhej të ndodhte në ditët në vijim ndoshta javën e ardhshme”, ka deklaruar ai.

“Paga e 13-të paguhet për punëtorët që marrin pagë nga shteti por që kanë punuar së paku 12 muaj para se të paguhet paga e 13-të”, ka shtuar ai.

Ai gjithashtu bëri të ditur se pagesa e parë nga Plani i Rritjes pritet të jetë një avans prej 7% të vlerës totale, ose rreth 62 milionë euro, ku gjysma e saj do të shkojë për investime në Ballkanin Perëndimor dhe gjysma tjetër si mbështetje buxhetore për përdorim të menjëhershëm nga shteti.

Pjesa tjetër sipas tij, do të lirohet sipas dinamizmit të zbatimit të reformave të dakorduara në Pakon e Reformave.

Lexo edhe:  Njomëza Feratit që la 4 fëmijë jetimë i realizohet ëndrra, familja e saj bëhet me banesë