Osmani: Puna ime javët e fundit u përball me fushatë baltosëse

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në javët e fundit puna e saj është përballur me një fushatë baltosëse që synon cenimin e dinjitetit njerëzor dhe dëmtimin e demokracisë.

Ajo theksoi se sulmet nuk kanë të bëjnë me kritikën apo llogaridhënien, por janë përpjekje të qëllimshme për manipulim dhe dezinformim.

“Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk e ka kritikën. Dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër. Shumë më e ftohtë, e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor. Për ta kthyer në objekt. Për ta krahasuar me kafshët më të egra. Për ta zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara. Gënjeshtra që përsëriten aq shumë derisa dikujt mund t’i duken të vërteta. Imazhe që krijohen për të lënduar dhe për të shkatërruar vlerat më të larta njerëzore që e kanë mbajtur popullin tonë bashkë në kohët më të rënda. Fjalë që nuk synojnë debat, por shkatërrim dhe eliminim”, tha ajo.

Presidentja paralajmëroi se propaganda krijon një klimë ku e vërteta relativizohet dhe demokracia dobësohet gradualisht.

“Kur e vërteta s’ka rëndësi… atëherë e tërë demokracia është në rrezik”, tha Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike dhe të dinjitetit njerëzor.

Ajo gjithashtu theksoi se kjo situatë dërgon një mesazh frikësues për gratë që angazhohen në politikë:

“Ky është mesazh për çdo grua që hyn në jetën publike”, tha presidentja.

Lexo edhe:  Detaje nga aksidenti në “Ibrahim Rugova”: Viktima ngiste veturë me targa të huaja