Organizon përleshje mes qenit dhe maces për klikime – procedohet 32-vjeçari shqiptar

Një rast i pazakontë ka ndodhur në Librazhd, ku një 32-vjeçar është proceduar penalisht pasi ka organizuar dhe filmuar një përleshje mes një qeni dhe një maceje, me qëllim përfitimi nga klikimet në rrjetet sociale.

Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi A.Gj., 32 vjeç, ka publikuar pamjet e përleshjes së kafshëve në internet, duke nxitur reagime të ashpra nga opinioni publik dhe organizatat për të drejtat e kafshëve. Ngjarja është konsideruar keqtrajtim i kafshëve dhe ka çuar në nisjen e procedurave ligjore ndaj tij.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për A.Gj., pasi ka promovuar në rrjetet sociale një ndeshje ndërmjet dy kafshëve shtëpiake”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Materialet janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.

Lexo edhe:  Aksident te Udhëkryqi për Begaj, i dyti brenda pak ditësh