Operohet 16-vjeçari që u plagos në kokë nga familjari i tij polic në Istog

16-vjeçari i plagosur në kokë nga familjari i tij, zyrtar policor, i është nënshtruar një operacioni pas lëndimeve të marra.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, shefi i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, i cili tha se i mituri tani ndodhet në mjekim intensiv pranë Klinikës së Pediatrisë në QKUK.

Fillimisht 16-vjeçari ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës e më pas ishte dërguar në QKUK në Prishtinë.

Në orët e para të mëngjesit të së martës një 16-vjeçar është plagosur në shtëpinë e një familjari të tij.

Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, rasti ka ndodhur aksidentalisht.

Zyrtari policor është arrestuar nga IPK-ja nën dyshimet për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”, dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Personi i plagosur në këtë rast (i moshës 16 vjeçare i cili ka lidhje familjare me policin) është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës e pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë. Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare. Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, thuhet mes tjerash në komunikatën e IPK-së.

Lexo edhe:  Arrestohet edhe kryeinfermierja e Shtëpisë së Pleqve në Pejë