Operacioni “Plazhi i lirë”: Nga Durrësi në Sarandë, sekuestrohen mbi 1200 çadra e shezlongë nga plazhet publike

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet dhe masat e zbatimit të planit të posaçëm për sezonin turistik veror 2025, me fokus në garantimin e sigurisë publike dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme.

“Prej 2 javësh, strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në zbatim të planit të posaçëm të masave për sezonin turistik veror 2025, me fokus: garantimin e sigurisë, qetësisë dhe rendit në zonat turistike dhe urbane”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në kuadër të këtij operacioni, janë evidentuar 16 raste të shkeljes së perimetrit të sigurisë në zonat bregdetare, ku janë ndëshkuar drejtuesit e mjeteve lundruese me gjoba prej 100,000 lekësh secili, si dhe janë bllokuar 13 Jet Ski dhe 3 skafe.

Gjithashtu, në kuadër të operacionit “Plazh i Lirë”, janë sekuestruar 1230 komplete me çadra dhe shezlongë, nga Durrësi në Sarandë, ndërsa 27 shtetas janë proceduar penalisht për zënien e paligjshme të plazheve publike.

Policia ka liruar 9 hapësira publike, të shfrytëzuara ilegalisht për parkim apo aktivitete të tjera, “8 prej të cilave në Vlorë dhe 1 në Shkodër”, dhe ka proceduar 14 persona për këtë vepër.
Në zonat urbane, janë ngritur me karrotrec dhe janë bllokuar 98 automjete dhe 34 motomjete, të parkuara në kundërshtim me ligjin, ndërsa për ndotjen akustike, janë proceduar 15 shtetas për tejkalim të kufijve të zhurmës dhe janë bllokuar 72 automjete e motomjete.

Për ndotjen e mjedisit, janë identifikuar 11 raste, ku janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar 9 të tjerë, kryesisht në qytetet Vlorë, Tiranë, Lushnjë dhe Shkodër.

Policia apelon për respektim të rregullave, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj shkelësve.

Lexo edhe:  Granit Plava: Naim Murseli më tha se do e vrisja një biznesmene serbe

“Pronarët/administratorët e lokaleve në zonat bregdetare, të mos zënë hapësira publike dhe të respektojnë kufijtë e lejuar të zhurmës, përndryshe do të përballen me masa administrative dhe penale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, qytetarët inkurajohen të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke iu garantuar një “reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm”.

&nbsp