Operacioni kundër bixhozit të jashtëligjshëm në Prishtinë: 34 të arrestuar dhe 15 lokale të mbyllura
Policia e Kosovës ka zhvilluar me sukses një operacion të gjerë në Rajonin e Prishtinës, me qëllim luftimin e veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit të paligjshme.
Operacioni ka nisur më 25 prill 2025, pas pranimit të informatave të besueshme, dhe është shtrirë në disa lokacione të rajonit. Sipas njoftimit të Policisë, janë vëzhguar dhe verifikuar 91 lokale, ndërsa në 60 prej tyre janë kryer kontrolle të detajuara.
“Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar 34 persona të dyshuar për përfshirje direkte në këto aktivitete të paligjshme. Prej tyre, 8 janë ndaluar për 48 orë, ndërsa 26 janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndërkohë, 15 lokale janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe nga inspektoratet komunale, për shkak të mungesës së dokumentacionit apo licencave përkatëse.
Gjatë këtij operacioni, janë inicuar 25 raste penale, për vepra që përfshijnë: organizim të lojërave të fatit, posedim të paautorizuar të substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, kultivim dhe përpunim të drogës.
“Ky operacion është dëshmi e profesionalizmit dhe përkushtimit tonë për të garantuar rend dhe siguri publike. Lufta kundër veprimtarive të jashtëligjshme është prioritet i yni”, deklaroi Policia.
Nga aksioni janë sekuestruar si prova materiale: 18 aparate për lojëra të fatit,1 armë automatike AK-47, 1 armë e shkurtër, pajisje laboratorike për kultivim droge, 5,544.40 euro cash, 3 laptopë, pajisje për shtypje dhe skanim të tiketave, si dhe 16 telefona të dyshuar për përdorim në pagesa të jashtëligjshme në bastore online.