Olluri për Nagip Krasniqin: Ka më shumë se një video, i zhveshur, brenda e jashtë zyrës
Ish-kryeshefi ekzekutiv i KEK’ut, Nagip Krasniqi, mbrëmë konfirmoi ekzistencën e një videoje me përmbajtje intime, e cila dyshohet të jetë zhvilluar me një të mitur.
Lidhur me reagim të tij, ka folur gazetari Parim Olluri.
Olluri tha se Nagip Krasniqi ka video ku shihet i zhveshur në zyrë dhe jashtë saj.
“Po i jep ngjyrën e VV-së (postimit), që është gjuhë normale e VV-së, por e rëndësishme është fakti që e pranon. E rëndësishme është çka është fakt, fakt është që Nagip Krasniqi është në një video intime. Fakt është që Nagip Krasniqi është nën hetime për shkak të kësaj video”, tha Olluri në Pressing.
“Ndërmarrjet publike kanë kod të etikës, nuk mundesh ti në zyrën e Drejtorit gjeneral me u zhvesh cullak sepse ki punë të shtetit aty. Nagimi ka video ku shihet i zhveshur edhe në zyre edhe jashtë zyrës. Është më shumë se një video, dyshohet se vajza është e mitur. Kjo nuk është më jetë personale por është vepër penale”, tha Olluri.
“Një ndërmarrje publike del që është drejtu prej një njeriu që ka humbë kohë duke u marrë me gjëra të tjera”, tha më tej Olluri.
“Njeri më të korruptuar viteve të fundit në Kosovë sesa Nagip Krasniqi nuk ka pas”, shtoi Olluri.