Nxënësi i shkollës ‘Emin Duraku’ në Prishtinë kapet me thikë, thotë se e mban nga frika e disa personave
Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.
Çdo ditë zbulohen raste të tillë nga Policia, ku të dyshuar shpesh herë janë persona të moshave të reja, e madje në shumë raste edhe të mitur të cilët kapen me armë edhe brenda institucioneve arsimore.
Mesditën e sotme Policia ka zbarkuar në shkollën fillore ‘Emin Duraku’ në Prishtinë, pasi Drejtoria e shkollës ka njoftuar Policinë se një nxënës posedon një mjet të mprehtë.
Njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, teksa thika është sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Nxënësi ka deklaruar se thikën e mban për shkaqe sigurie, pasi që frikësohet nga disa persona që sipas tij shpesh herë frekuentojnë hapësirat e jashtme të shkollës.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe i dyshuari do të hetohet në liri.