“Nuk m’ka met tjetër veç me marrë 1 allti me i vra krejt, edhe veten”/ Vushtrriasi kërcënon familjen që s’ia plotësojnë kërkesat

Telashet familjare janë të shpeshta, ku anëtarët përballen me kërcënime, përleshen mes vete apo pësojnë nga kryefamiljari. E këto zënka shpesh herë kalojnë edhe muret e shtëpisë, duke u nevojitur kështu ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të zgjidhur problemet.

Për një rast të tillë që ka ndodhur në fshatin Druar të Vushtrrisë, Prokuroria Themelore ka nisur hetimet.

Sinjali mëson se një i moshuar ka dërguar në adresë të vajzës së tij një mesazh me përmbajtje kërcënuese, ku e paralajmëron se mund të blejë një armë zjarri dhe t’i vrasë të gjithë anëtarët e shtëpisë, e më pas edhe veten.

Rastin në Polici e ka denoncuar djali i 74-vjeçarit, i cili ka thënë se babai i ka thënë motrës së tij se do ia vë zjarrin edhe shtëpisë dhe garazhit.

Bazuar në dëshminë e tij, djali ka pohuar se të gjitha këto kërcënime kanë ardhur për shkak se babai i tij bën jetë të shthurur dhe anëtarët e familjes nuk ia plotësojnë kërkesat që ka.

Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku kanë gjetur dhe konfiskuar një armë gjuetie.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprat ‘Kanosje’ dhe ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Tri shpërthime në veri