“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, sot protestohet në Prishtinë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, organizon sot protestë gjithëpopullore me moton ‘nuk ka paqe pa sigurinë e grave’.

Sipas, Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, dhuna e gjinizuar ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve.

“Ju njoftojmë se këtë të marte, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”, thuhet në njoftim.

“Ato janë simptoma të patriarkalizmit i cili vazhdon ta qeverisë familjen, shoqërinë dhe shtetin tonë. Ato janë pasojat e një dhune strukturore patriarkale që vazhdon t’i shtypë gratë e të prodhojë dhunues e vrasës në çdo celulë të organizimit shoqëror dhe politik. Ne, gratë dhe vajzat në Kosovë, jetojmë në frikë të vazhdueshme për sigurinë tonë dhe për sigurinë e njëra-tjetrës. Dhuna e gjinizuar po na ngulfatë në secilën hapsirë, e disa prej nesh po i vret. E kjo nuk bën të vazhdojë kështu. Ne nuk do të qëndrojmë të qeta/ë përderisa burrat vazhdojnë të dhunojnë e vrasin vajza e gra. Vendi jonë nuk mund të ketë paqe përderisa për gratë çdo ditë është gjendje lufte. Luftë për ekzistencë, luftë për t’u mos u dhunuar, luftë për të mos u vrarë”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj organizate, familja, shoqëria e shteti janë të tri hallkat në të cilat kërkojnë ndryshime rrënjësore dhe zhbërje të patriarkatit që po i dhunon e vret gratë.

Lexo edhe:  Bie vlera e Trustit, qytetarët në pritje të vendimit për të tërhequr 30-përqindëshin

‘Ne kthehemi drejt tyre sepse e dijmë se ky sistem vrasës nuk është jashtë nesh. Andaj, këtë të marte, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare! Të martën, bëhemi bashkë të gjitha/ë në shesh, e çdo ditë tjetër luftojmë krahas vajza e grave. Për siguri dhe liri për gratë dhe vajzat në Kosovë!”, thuhet në njoftim.