Nuk iu ‘dhezi’ presioni ndaj grevistëve: Edhe në komunat e VV-së po vazhdon greva
Në komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje, e ku është bërë thirrje nga kryetarët e këtyre komunave që të filloj mësimi megjithatë greva është duke vazhduar përkundër presionit politik.
Shpejtim Bulliqi në Podujevë, Qemajl Aliu në Shtime, Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, dhe kryetari i Kamenicës, gjatë ditës së djeshme janë bashkuar duke tentuar ta ndalojnë grevën në arsim në këto komuna, por që megjithatë grevistët nuk janë ‘dorëzuar’ para presionit të tyre.
Siç merr vesh Metro, në komunën e Podujevës e cila udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i VV’së është duke vazhduar greva, edhe pse ka pasur tentativë nga pushteti që ta ndërpres grevën.
Ka qenë Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, i cili gjatë ditë së djeshme me një postim në rrjetin social Facebook, kishte njoftuar se shkollat e këtij qyteti do të fillojnë procesin mësimor dhe do të braktisin grevën, por që diçka e tillë nuk ndodhi, pasi që grevistët kanë vazhduar të mos iu binden presionit politik.
Gjithashtu Metro ka mësuar se edhe në Komunën e Gjilanit, dhe në atë të Shtimes, të cila janë nën qeverisje ne VV’së, greva është duke vazhduar.
Ndërsa përmes një komunikate, të dielën, ministria e drejtuar nga Arbërie Nagavci iu ka bëri thirrje mësimdhënëseve që të shkojnë në punë nesër.
“Duke e marrë me seriozitet obligimin tonë për realizimin e plotë të së drejtës për arsim, por edhe përmirësimin e kushteve dhe kompensimin e mësimdhënësve, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira, që të rishikojnë dhe balancojnë interesat dhe t’i kthehen që nesër procesit mësimor”, thuhej në komunikatë.
Por ndryshe mendon, Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës.
Gjatë një interviste në lajmet e mbrëmjes së RTK-së, ai ka thënë se nesër vazhdon greva.
“I lus prindërit të mos i dërgojnë nesër fëmijët në shkollë”, ka thënë ai.
E për sa i përket thirrjeve të pushtetit që greva të ndërpritet, ai ka thënë se “mësimdhënësit nuk bien në presion”.
Greva ka nisur më 25 gusht dhe si kërkesë ka shtimin e 100 eurove në pagë për përballimin e inflacionit.