Nuk është luks kërkimi i pagës| Dy javë pa rroga, gazetarët e RTK-së e “gozhdojnë” zëdhënësin e Kurtit

Një reagim i AGK-së që i bën thirrje Qeverisë të ndajë buxhetin për RTK-n është bërë sebep i një përplasje të ashpër të gazetarëve të televizionit publik me zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ky i fundit, i cili nuk ka dhënë asnjë shpresë se kur punonjësit e televizionit mund t` marrin pagat, është “gozhduar” nga disa gazetarë dhe redaktorë të RTK-së, të cilët ende nuk e kanë marrë pagën e muajit gusht.

Ata ia kanë rikujtuar Kryeziut se është e drejtë e tyre të kërkojnë pagën.

Ndër të paret që i ka reaguar zëdhënësit të qeveria ka qenë redaktorja Pranvera Munishi.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka treguar se Qeveria nuk po tregon aspak vullnet për ndarjen e buxhetit për RTK-në.

“Nuk ka paga për punëtorët e RTK-së….. Të kërkohet prej tyre qetësi dhe durim, në këtë situatë përballë krizës financiare dhe presionit psikologjik, është akt i ftohtë çnjerëzie, që zbulon më shumë për pushtetin sesa për ata që e mbajnë barrën. Ligji, në thelb, është mjet për të ruajtur jetën dhe funksionin institucional e shoqëror, e jo për të fshehur mungesën e vullnetit politik.Le t’i mbulojë turpi ata që në kohë krizash flasin me gjuhën e shkresave, derisa njerëzit mbajnë mbi supe familje, fatura e kredi bankare”, ka shkruar ajo, duke i ftuar koleget e saj që të jenë unik.

“Kolegë të RTK-së, mos lejoni përçarje, mos ndjeni frikë, jo vetëm për pagat tona, por për vetë ekzistencën e shtëpisë sonë mediale. Kur zëri ynë është i bashkuar, është më i fortë se çdo akt i heshtur shpërfilljeje që vjen nga çdo zyrtar arrogant i cili pa asnjë përvojë e pa asnjë meritë, është katapultuar në kolltukun e siguruar nga partia”, ka shkruar ajo.

Lexo edhe:  Aksident trafiku në hyrje të Klinës, një veturë përfundon jashtë rrugës

Edhe në e ashpër në reagim ka qenë redaktorja tjetër e RTK-së, Jehona Zhitia.

Ajo ia ka bërë me dije zëdhënësit të qeverisë se nuk është lluks kërkesa për pagë.

“Ti Perparim, nuk eshte lluks me kerku pagen e punes tende, eshte e drejte themelore. 14 dite pa paga do te thote 14 dite me fatura, kredi e familje qe presin. Ne vend te kritikes ndaj mbi 700 punetoreve te RTK-se, do te ishte me e rruges te kritikohej vonesa qe po cenon jetesen e tyre. Moszgjidhja e financimit te mediumit publik qe nga themelimi i tij, eshte pergjegjesi e te gjithe udheheqesve te shtetit nder vite.#Thirrenimendjes”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

 

Kurse, moderatorja dhe gazetarja e RTK-së, Fitore Rexhepi, mungesën e pagave për punonjësit e RTK-së e ka cilësuar mjerim.

“Mjerim! Sot mbi 700 punetore te RTK-se jane bere mish per top!”, ka shkruar ajo

Çka tha AGK-ja e çka Qeveria?

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dje ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e pagave për gazetarët e RTK-së.

Përmes një reagimi i ka bërë thirrje Qeverisë për ndarjen e buxhetit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është thellësisht i shqetësuar që 700 punëtorët e RTK-së vazhdojnë të mbesin pa pagë për muajin korrik. AGK-ja është e brengosur për mirëqenien ekonomike të gjithë kolegëve, që nuk janë paguar për punën e tyre, që vazhdojnë ta kryejnë edhe gjatë muajit gusht. AGK-ja e fton Menaxhmentin e RTK-së që të intensifikojë përpjekjet për të siguruar buxhetin, dhe të jetë transparent për veprimet e veta me të punësuarit e RTK-së”, ka vlerësuar AGK-ja, duke shtuar se një veprim i tillë është presion ndaj RTK-së.

 

“AGK-ja e sheh mosalokimin e buxhetit për pjesën e dytë të vitit për RTK-në, si formë të presionit të shtuar politik ndaj Transmetuesit Publik nga ana e Qeverisë në detyrë Kurti. Është koha e fundit që Qeveria të eksplorojë të gjitha mundësitë ligjore për të alokuar mjetet që i takojnë RTK-së. AGK-ja qëndron në solidaritet me kolegët e RTK-së dhe njeh punën e tyre të rëndësishme për informim në interes të publikut”, ka vlerësuar AGK-ja.

Lexo edhe:  Vetaksident i rëndë në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, vetura godet rrethojat e rrugës

Reagimi i AKG-së nuk i ka pëlqyer zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai e ka quajtur absurd vendimin reagimin e AGK-së.

“Me reagimin e sotëm AGK po dëshmon që për ta akuzuar qeverinë është në gjendje të deformojë ligjin e të keqinformojë publikun. RTK është institucion i themeluar nga Kuvendi, i raporton atij dhe Kuvendi është përgjegjës për sigurimin e financimit adekuat. Kuvend nuk kemi sepse partitë opozitare nuk kanë votuar deri më tash për konstituimin e tij. Për të transferuar në llogari bankare mjetet që janë të ndara për RTK-në, siç po bënë thirrje AGK, duhet vendim nga Komisioni Parlamentar për Buxhet i Kuvendit, siç parasheh Neni 11, paragrafi 11 i Ligjit për Ndarjet Buxhetore. Pa një vendim të këtij komisioni nuk është i mundur transferimi i mjeteve. Andaj është absurde që zgjidhja për situatën në RTK të kërkohet përmes rrugëve e mënyrave joligjore, e edhe më shumë absurde është që kjo mënyrë e të vepruarit t’i kërkohet qeverisë”, ka shkruar Kryeziu.