“Noa”, kompania me dy punëtorë që i shiti rrymë vendit gjatë Qeverisë Kurti, vetë fitoi miliona, qytetarëve iu shtrenjtuan tarifat

Një kompani pothuajse enigmatike, pa adresë dhe me vetëm dy punëtorë të regjistruar, ka realizuar qindra miliona euro fitim për 3 vjet ekzistencë në Kosovë. Puna që bën? I shet vendit rrymë deri në 225% më shtrenjtë se që ajo kushton në të vërtetë. Ndërkohë, faturat po rriten çdo vit për qytetarët, të cilëve u është përmendur nevoja për import të rrymës me çmime të shtrenjta, si një nga arsyet kryesore për shtrenjtimin e rrymës.

Rryma është shtrenjtuar disa herë radhazi në Kosovë, ndërkohë që “NOA Energy Trade”, e regjistruar më 29 qeshor 2021, gjatë këtyre viteve ka arritur të bëhet një nga kompanitë më të mëdha në vend.

Kjo kompani, e cila në vitin e parë regjistroi 54 milionë euro qarkullim vjetor, 142 milionë euro në vitin pasues dhe 161 euro në vitin e tretë, po i shet vendit rrymë 225% më shtrenjtë sesa në bursë.

“Buletini Ekonomik” shkruan sot se gjatë shtatorit 2024, një megavat-orë energji elektrike, e ardhur përmes kompanisë “Noa Energy Trade” i ka kushtuar KESCO-s mesatarisht 345.33 euro – 225% më shumë se mesatarja mujore në bursën HUPX, ku çmimi i një megavati në të njëjtin muaj ishte 106.11 euro.

Nga kjo kompani, Kosova mesatarisht në vit ka paguar 79.87% më shtrenjtë rrymën sesa që ka qenë çmimi në bursën HUPX.

Mesatarja vjetore e çmimit për një megavat/orë sipas bursës HUPX në vitin 2024, ishte 100.81 euro, përafërsisht aq sa ishte përafërsisht edhe parashikimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (97.79 euro për megavat/orë). Por çmimi mesatar i një megavati – KESCO-s i kushtoi 181.34 euro.

Prej 68.9 milionë euro rrymë sa ka importuar Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) në vitin 2024, mbi 62 milionë euro i shkuan vetëm përmes kompanisë “NOA Energy Trade”.

Lexo edhe:  Zhvillime në veri, policët serbë zhveshin uniformën e Policisë

Pas “NOA Energy Trade”, kompania energjetike “GEN” vjen e dyta në listën e importuesve, me 6.2 milionë euro. Nga dega e kësaj kompanie në Beograd, janë transferuar miliona euro te një kompani e themeluar nga Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, të cilin më pas do ta merrte në mbrojtje Qeveria.

KESCO, kompania përgjegjëse për furnizim me energji elektrike për qytetarët e Kosovës, dhe Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila zakonisht miraton në baza të përvjetshme tashmë shtrenjtimin e rrymës, nuk e kanë sqaruar asnjëherë çështjen e importit të energjisë elektrike nga “NOA Energy Trade”.

Mungesa e prodhimit të mjaftueshëm nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe nevoja për import të rrymës me çmime më të shtrenjta në bursat ndërkombëtare, janë dy arsyetimet kryesore që janë përmendur nga ZRRE-ja për shtrenjtimin e rrymës këtë vit për 16.1% krahasuar me vitin e kaluar.

Por gjatë vitit 2024, Kosova ka importuar energji elektrike me çmime marramendëse – 79.87% më shtrenjtë sesa në bursë. Gjithashtu, befasisht u rrit në mënyrë marramendëse edhe kostoja e transportit të rrymës për 907% krahasuar me vitin 2023. Nga rreth 1 milion euro në vitin 2023, për transportimin e rrymës në vitin pasues u shpenzuan 10 milionë euro.

“NOA Energy Trade” ka vetëm dy punëtorë të regjistruar, sipas Administratës Tatimore të Kosovës.

Adresat e dhëna nga kjo kompani kanë rezultuar të pasakta, siç pati shkruar gazetari Lirim Mehmetaj më 19 prill, pasi kishte kërkuar t’i verifikonte ato.

Rryma çdo vit më shtrenjtë për qytetarët, por jo edhe për serbët në veri

Zyra e Rregullatorit për Energji më 16 prill miratoi shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16.1% krahasuar me vitin e kaluar, pavarësisht protestave të qytetarëve.

Lexo edhe:  Policia sekuestron 13 armë zjarri në rajonin e Prishtinës

Tarifat e reja të energjisë elektrike do të zbatohen nga 1 qershori në të gjithë vendin, përveç veriut, pjesën e populluar me shumicë serbe,

Kompania serbe Elektrosever e ka marrë përsipër furnizimin dhe faturimin e konsumatorëve atje, sipas një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2022. Dhe ZRRE-ja tha se “nuk përcakton tarifa me pakicë të energjisë elektrike për Furnizuesin Elektrosever”.

ZRRE-ja ia konfirmoi Gazetës Express të hënën se shtrenjtimi nuk vlen për veriun e vendit, por pasi doli lajmi, e lëshoi një njoftim plot konfuzion në Facebook, si përpjekje për ta zbutur reagimin qyetetar që u shkaktua. Njoftimi u bë për tarifat e reja të energjisë elektrike në Kosovë dhe “ndikimin te konsumatorët në veri”.

Me një formilim qëllimshëm të paqartë, ZRRE-ja tha se më 16 prill ka aprovuar tarifa të reja për shfrytëzim të sistemit të transmetimit, operimit të sistemit dhe operimit të tregut si dhe tarifa për shfrytëzim të sistemit dhe shpërndarjes, të cilat tha se “janë të detyrueshme për të gjithë furnizuesit”, përfshirë Elektroseverin.

Kompania serbe operon jashtë “sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal” – pra KESCO-s – për të cilin vlen shtrenjtimi i rrymës. Këtë, megjithëse e tha në përgjigje, ZRRE-ja nuk e përmendi qartazi në njoftimin e bërë publik më pas.

Elektroseveri duhet të aplikojë tarifat e përcaktuara vetëm për rrjetin e transmetimit dhe të shpërndarjes, por kjo nuk i prek qytetarët e veriut.

Kjo kompani tha të hënën se shtrenjtimi i miratuar nga ZRRE-ja nuk vlen për komunat në veriun e Kosovës.

“Informacioni që rryma në Kosovë do të shtrenjtohet për 16.1% nuk vlen për katër komunat veriore, pra për konsumatorët që ne i furnizojmë me energji elektrike”, tha Elekstrosever në një përgjigje për mediumin serb, KoSSev.

Lexo edhe:  Gjykimi për ngjarjen që tronditi Pejën: “Iu kam betu varrit të djalit se do të kërkojë drejtësi”

Elektroseveri tha se nuk planifikojnë asnjë rritje të çmimit të rrymës për serbët në veri.

Tarifat e reja të energjisë elektrike në Kosovë, që siç është bërë zakon hyjnë në fuqi çdo 1 prill, këtë vit do të zbatohen me pak vonesë për shkak të ankesave dhe reagimeve të qytetarëve.

Përfaqësues të bizneseve kanë paralajmëruar se do të detyrohen t’i shtrenjtojnë produktet dhe shërbimet, përfshirë ato baziket si mielli, buka, qumështi e vaji, për shkak të këtij vendimi.