“No New Broken Republic” – transformohet monumenti i pavarësisë

Mbrëmjen e së martës ka nisur transformimi i monumentit të NEW BORN, i cili sot bashkë me shtetin feston 15-vjetorin, raporton Gazeta Sinjali.

Autori, Fisnik Ismaili, për dallim nga herët e tjera, sivjet nuk e ka zbuluar mesazhin para 17 shkurtit, duke e bërë atë publik sot pas orës 02:00 të mëngjesit.

NEW BORN është ngjyrosur me ngjyrat e kaltër dhe verdhë, e që sipas postimit të Ismailit, lë të kuptohet se këto ngjyra janë përdorur për solidarizim me Ukrainën, e cila ndodhet nën një agresion rus që nga fundi i shkurtit të vitit të shkuar.

Pamja e sivjetme është ndërruar edhe nga pozicioni i shkronjave, ku përmes lëvizjes së shkronjave ‘N’ dhe ‘O’, është dhënë një mesazh i fuqishëm politik ku thuhet “No New Broken Republic”.

“Tema e këtij viti nuk është ndryshe. Në fakt, është provokuese, ndoshta më shumë se herët e tjera, por si gjithmonë është aktuale me gjendjen në të cilën ndodhet populli ynë dhe vendi ynë dhe është një udhëkryq i rëndësishëm drejt shtetësisë së Kosovës”, thuhet në postimin e faqes zyrtare të monumentit.

NEW BORN, monumenti i Pavarësisë së Kosovës ka gjithnjë mesazhe të veçanta për çdo vit që Kosova feston si shtet.

Që prej 2008-s kur Kosova fitoi pavarësinë, ky monument dërgon nga Prishtina mesazhe gjithë botës.

NEW BORN është ndërtuar nga një skelet çeliku dhe është i mbuluar me shtresë metali. Çdo shkronjë peshon rreth një ton dhe është e lartë 3 metra. Ky është monumenti më i vizituar në Kosovë.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit gjatë vikendit