Njohja nga Kenia, Osmani: Vendimi i nënshkruar nga Ruto ka ardhur në Presidencë, falënderim i veçantë për Pacollin
Presidentja e së Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se vendimi i Republikës së Kenias për njohjen e pavarësisë së Kosovës është dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë, i nënshkruar nga presidenti i Kenias, William Ruto.
“Kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial. Njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri”, ka shkruar Osmani.
Madje, Osmani në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, ka shprehur falënderime ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, për “këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik”.
Presidentja shtoi se “përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve.
“Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do te merret shpejt, bazuar në të drejten nderkombetare dhe ne sakrificen e gjate te popullit tone”.
Presidentja nuk la pa e falënderuar edhe ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, për kontributin e tij.
“Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli”.
“Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit dhe fuqizimit të pozitës së saj ndërkombëtare. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenisë do të thellohen në fusha të ndryshme, ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë”.