Njëri prej të dyshuarve për dhunimin e 23-vjeçares në Pejë, është babai i ish-deputetit Veton Berisha
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetarët në Kosovë dhe Shqipëri. Një vajzë 23-vjeçare nga Shqipëria, e cila vuan nga probleme mendore, dyshohet se është dhunuar seksualisht nga dy persona në Pejë. Lidhur me rastin tashmë janë arrestuar Shaban Berisha dhe Ismet Gogaj.
Sinjali mëson se Shaban Berisha është babai ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha.
Shaban Berisha bashkë me Ismet Gogajn, dyshohet se kanë keqpërdorur seksualisht 23-vjeçaren, e cila fillimisht ishte raportuar e zhdukur.
Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se me urdhër të prokurorit është sekuestruar edhe vetura që dyshohet se është përdorur nga të dyshuarit për kryerjen e veprës penale.
Po ashtu, është siguruar edhe vendi ku dyshohet se ka ndodhur rasti.
Gogaj dhe Berisha janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tyre pritet të merren masa ligjore.
Ndryshe, rasti i rëndë u zbulua pasi motra e viktimës erdhi në Kosovë për ta kërkuar atë dhe si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, vajza u gjet në Pejë.
Pasi vajza u gjet, gjendja e saj nuk ishte e mirë dhe e njëjta u dërgua për ekzaminimet e nevojshme, teksa njësitet policore u vënë menjëherë në lëvizje për të zbuluar se kush janë personat e dyshuar.