Një kishte kushtuar gati tre mijë euro, biçikletat elektrike të Komunës përfundojnë në oborrin e një shtëpie në “Kalabri”
Në një fotografi të publikuar nga “Vrojtuesit e lagjes” biçikletat elektrike të Komunës së Prishtinës shihen në oborrin e një shtëpie.
Fotografia e cila po qarkullon në rrjete sociale tashmë, duket të jetë realizuar në lagjen “Kalabria” në kryeqytet.
Këto biçikleta ishin larguar më 11 dhjetor 2024 nga hapësirat e caktuara që kishin qenë të vendosura, për t’u rikthyer më pas më 1 mars 2025.
Madje në një njoftim të Ndërmarrjes “Prishtina Parking”, ishte bërë e ditur përveç mbrojtjes nga kushtet atmosferike, ato do të tërhiqeshin edhe për t’u kryer riparime dhe kontrolla të përgjithshme.
Për këto biçikleta elektrike, Komuna e Prishtinës para dy vitesh kishte nënshkruar kontratën në vlerë 500 mijë euro.
Sipas kontratës, komuna kishte blerë një biçikletë në vlerë prej 2,744 euro.
“Çmimet njësi të furnizimeve janë paraqitur në ofertën financiare, lista e çmimit e paraqitur nga furnizuesi. Vlera totale indikativë e kontratës për çmim për njësi është 2.744.00 euro”, thuhej në kontratë.