Nisin hetimet për aksidentin mes autobusit nga Kosova dhe kamionit në Gjermani
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit të rëndë që ndodhi pak pas mesnatës në autostradën A8 Salzburg–Munih, pranë kryqëzimit të Irschenbergut, ku një autobus me pasagjerë nga Kosova u përplas me një kamion me rimorkio.
Sipas raportimeve të para të policisë, nuk ka prova që të tregojnë për ndonjë defekt teknik në autobus apo në kamion. Hetimi aktual është i fokusuar në zbardhjen e arsyes pse shoferi i autobusit nuk arriti të dallojë mjetin përpara me kohë, çka çoi në përplasjen e fortë me pjesën e pasme të rimorkios. Shoferi, sipas burimeve policore, u përpoq të devijonte majtas në momentin e fundit, por përplasja ishte e pashmangshme, raportojnë mediat gjermane.
Nga aksidenti u plagosën 30 nga 41 pasagjerët që ndodheshin në autobus. Dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë në spital, ndërsa katër të tjerë janë dërguar në klinika për ekzaminime të mëtejshme.
Dëmi material i shkaktuar nga përplasja vlerësohet në rreth 150,000 euro. Autobusi i dëmtuar është tërhequr nga vendi i ngjarjes, ndërsa kompania e transportit ka reaguar menjëherë duke dërguar një mjet zëvendësues për pasagjerët e padëmtuar. Kamioni i përfshirë në aksident ishte në gjendje të drejtohej deri në një parking të afërt, ku më pas ngarkesa e tij u transferua në një mjet tjetër.
Ndërkohë, autostrada në drejtim të Munihut ishte mbyllur për rreth dy orë për të lejuar operacionet e emergjencës dhe pastrimin e plotë të rrugës. Policia dhe shërbimet e emergjencës kanë vlerësuar lart bashkëpunimin mes ekipeve të shpëtimit, duke theksuar ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionale që bëri të mundur ofrimin e ndihmës së parë për të lënduarit.