Ngritët aktakuzë kundër pronarëve të ‘Swiss’ dhe ‘Velunia Club’, zbulohet si bashkëvepruan për shitblerjen e drogës

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Sefë Fetoshit, Kushtrim Bytyqit dhe Enis Shtavica, të cilët gjenden në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Aksioni për këtë rast u zhvillua në mars të këtij viti, ku u arrestuan fillimisht Kushtrim Bytyqi, pronar i lokalit ‘Swiss’ dhe Enis Shtavica, ndërsa Fetoshi, pronar i ‘Velunia Club’ u dorëzua në Polici në shtator, pas disa muajsh në arrati.

Sipas aktakuzës, “nga data e pavërtetuar e në vazhdimësi deri më datë 28.03.2024 pas mesnatës, në Prizren, Xërxe dhe Gjakovë, të akuzuarit duke vepruar në grup, pa autorizim blejnë, shpërndajnë dhe shesin në sasi të mëdha substanca narkotike të llojit “kokainë” të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë të ndaluar, në atë mënyrë që i akuzuari S.F., blenë substanca narkotike të llojit “kokainë” nga persona të panjohur dhe në pajtim me të akuzuarin E.Sh., i lë në ruajtje në shtëpinë e E.Sh., në Gjakovë.”

Më pas, dosja sipas Sinjalit thotë se i akuzuari Fetoshi, me qëllim të barazimit të borxhit, me kërkesë të Bytyqit, ofron “kokainë” për shitje në sasi prej 50.35 gram, ku i akuzuari Bytyqi, më datë 02.10.2023 pas mesnate pas pranimit të kokainës në fshatin Xërxë, me automjetin e tij, kthehet në lokalin i tij “Swiss” dhe sasinë e pranuar të kokainës ia shet personit tjetër në shumë prej 2000 euro, i cili ia ka bërë pagesën prej 1900 euro derisa pjesa tjetër prej 100€ do të duhej të bëhej në takimin e radhës për porosinë për 1 kg “kokainë”.

Lexo edhe:  Qytetet dhe fshatrat që mbesin pa energji elektrike

Në aksionin e zhvilluar më 28 mars, është kryer bastisje në shtëpinë e Shtavicës, në Gjakovë, ku janë sekuestruar: “Dy (2) qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 147.78 gram, dy (2) qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 52.01 gram, një (1) qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 5.71 gram, një (1) qese plastike me substancë të llojit kokainë me peshë 2.82, një (1) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit “mariuhanë” në peshë prej 0.95 gram, një (1) peshore digjitale ngjyrë e bardhë dhe prova tjera.“

Gjithashtu, në këtë çështje, paralel me hetimet penale, prokurori i shtetit ka zhvilluar edhe hetime financiare sipas Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë, ashtu që për pasuritë të cilave nuk u dihet prejardhja, që janë një shtëpi me sipërfaqe 250m2  dhe  trualli në sipërfaqe 421m2 e cila gjendet në Prizren dhe një automjet i markës “Mercedes”, pronë e Bytyqit, do të ndiqen rrugët ligjore të përcaktuara në LKZK.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.