Ngricat e prillit shkaktojnë dëme të mëdha në bujqësi, pritet rritja e çmimeve dhe varësia nga importi
Nga vreshtat e tij 15-hektarëshe në Rahovec priste të nxirrte rreth 100 mijë kilogramë rrush. Por, pas tri netëve me ngrica, Habib Dina tani pret “zero prodhim”.
“Temperaturat kanë rënë nën zero gradë, do të thotë, në minus tri gradë. Kjo i ka dëmtuar sythat e vreshtave. Aty më nuk ka prodhim. Për sivjet, zero prodhim kemi”, thotë Dina.
Dina nga Shoqata e Vreshtarëve “Kultivuesit e rrushit”, thotë se ai ka pësuar dëme në vlerë prej pesë deri në gjashtë mijë euro për hektar.
Nga 6 prilli, për tri net radhazi, nëpër rajonet e ndryshme të Kosovës pati rënie të temperaturave deri në minus pesë gradë Celsius.
Meqë muaji mars ishte relativisht i ngrohtë, lloje të shumta të pemëve dhe perimeve kishin lulëzuar dhe kishin nxjerrë sythat. Por, ngricat e fillimit të prillit i dëmtuan seriozisht këto kultura bujqësore. Në Rahovec, ku gjenden mbi 70 për qind e 3.200 hektarëve me vreshta në Kosovë, nga ngricat do të pësojnë edhe përpunuesit e rrushit.