Ngjarje e rëndë: Burri keqtrajton gruan e tij shurdhmemece, ajo lëndon veten që të ‘shpëtojë’ dhe të ikë
Numri i rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave ka kohë që ka kaluar në shifra alarmante. Çdo ditë në Polici raportohen raste kur ato keqtrajtohen kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur së fundi në fshatin Smadraxh të komunës së Suharekës, ku viktimë është një grua shurdhmemece.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije burri ka deklaruar se ka probleme me bashkëshorten e tij, e cila më pas është intervistuar nga Policia në prezencën e interpretuesit të gjuhës së shkronjave dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.
22-vjeçarja ka bërë të ditur se bashkëshorti i saj e keqtrajton fizikisht dhe e njëjta ka prerë veten në fytyrë me një copë xhami në mënyrë që të dalë nga shtëpia dhe të denoncojë rastin në organet e rendit.
I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa viktima bashkë me fëmijët e mitur kanë shkuar të jetojnë te familja e saj.