Nga 3 u bë afër 8 milionë euro: Merret vendimi përfundimtar për projektin e kompleksit “Adem Jashari”
Nga tre milionë euro që ishte paraparë të vlente, master-plani për kompleksin “Adem Jashari” shtetit do t’i kushtojë 7,890,000.00 euro.
Ministria e Kulturës e ka shpërblyer me kontratë studion gjermane të arkitekturës Gerber Architekten International GmbH për zhvillimin e master-planit për kompleksin “Adem Jashari” në Skenderaj.
Monumentet brenda kompleksit ka vite që ndodhen në rrezik të shkatërrimit.
Për të shmangur këtë degradim, Qeveria e Kosovës në vitin 2021 ka iniciuar një proces për zhvillimin e master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Hapi i parë ka qenë themelimi i një Komiteti ndër-ministror për kompleksin, i cili do ta mbikëqyrte dhe ndërmerrte hapa për zhvillimin e master-planit. Kësisoj, Ministria e Kulturës hapi një konkurs përmes prokurimit publik për zhvillimin e një master-plani.
Sipas konkursit të mbyllur me 7 korrik, master-plani do të përfshijë një zonë prej 450 hektarësh. Në konkurs jepen detaje të gjendjes aktuale bashkë me synimet e shtetit.
Procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë fituese për zhvillimin e master-planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari të cilat filluan në qershor, kanë përfunduar të mërkurën e 3 korrikut dhe kanë zgjatur më tepër se një vit.
Me kontratë është shpërblyer studioja e arkitekturës Gerber Architekten International GmbH, me bazë në Dortmund të Gjermanisë. Vlera e kontratës është dyfish më e madhe sesa ajo që ishte paraparë në hapje të tenderit.
Nga 3 milionë euro që ishte paraparë të kushtonte, master-plani për Kompleksin Memorial Adem Jashari do t’i kushtojë shtetit 7,890,000.00 euro, bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar nga Zyra e Prokurimit të Ministrisë së Kulturës të mërkurën.
Dy ofertat e konsorciumeve tjera konkurruese, ato të “Polis University” dhe Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë, janë eliminuar nga Ministria e Kulturës, edhe pse ishin më të lira në çmime.
Në shkurt të këtij viti, Ministria e Kulturës është paditur nga Instituti i shkencës dhe teknologjisë “Insi”, e cila kryesonte njërin nga konsorciumet e eliminuara nga gara për tenderin e zhvillimit të master-planit.
I njëjti operator ekonomik e ka dorëzuar lëndën edhe në Gjykatën Komerciale. “Insi” pretendon se ka pasur shkelje të shumta në procesin e prokurimit për këtë tender.
Shteti prej vitit 2004 me Ligj të veçantë kishte shpallur kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” si hapësirë me interes të veçantë.
Më pas në nëntor të vitit 2018 me Ligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz ishte ripërcaktuar statusi i Kompleksit dhe obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin, restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij.
Në Ligj që ka zëvendësuar atë të 2004-s përcaktohet se Kompleksi posedon 450 hektarë dhe, sipas analizës së ndikimit buxhetor, asokohe parashihej të investoheshin 21 milionë euro.