Nesër pasdite destabilizim i atmosferës në Kosovë!
Vapa e jashtëzakonshme do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme në Kosovë, megjithatë pasdite vonë një front i dobët i ftohtë ajror pritet të shkaktojë destabilizim të atmosferës duke kushtëzuar krijimin e vranësirave të shiut të verës.
Këto vranësira mund të vijnë në formën e një sistemi frontal, por nuk parashihet të jetë ndonjë sistem i fuqishëm.
Gjatë ditës pritet të jetë vapë intensive, ndërsa pasdite vonë nga veriperëndimi i vendit pritet të shfaqen vranësirat “Cumulonimbus”. Këto vranësira do të vijnë drejt juglindjes, duke sjellur rrebeshe lokale she shkarkesa atmosferike, por asesi nuk duhet pritur reshje në të tërë territorin. Gjatë dhe pas ardhjes së këtyre “turbulencave” të vogla atmosferike mund të kemi fuqizim të erërave nga veriu sidomos në zonat e rrebeshe, por shkurtimisht edhe në zona tjera. Këto erëra do të sjellin sadopak freskim të motit pas vapes së mundimshme. Freskimi më i këndshëm do të ndodhë në zonat ku kapen nga rrebeshet e shiut.
Përndryshe, vapa verore vazhdon me intensitet nga e hëna deri të mërkurën kur përsëri mund të kemi një tjetër front të ftohtë ajror që mund të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe freskim të motit./MeteoBallkan