“Nëse sektori privat nuk përmirëson kushtet e punës, do të ketë tronditje të mëdha pas liberalizimit të vizave”

Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazin, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini ka deklaruar se tregu i punës, pas liberalizimit të vizave, do të pësojë tronditje të mëdha.

Sipas tij, kjo pritet të ndodh për shkak se në vitin 2022 edhe përkundër shumë procedurave për tu pajisur me viza pune, vendin e kanë lëshuar rreth 60 mijë të rinj e të reja.

“Tregu i punës do të çrregullohet prej kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian, duke pas parasysh se Gjermania si shteti më i madh kur kosovarët migrojnë nga fundi i këtij viti do të liberalizoj në masë të madhe mundësin e punësimit atje dhe kjo do të na rrezikoj në masë të madhe ikjen e punëtorëve tonë. Nëse ne, kryesisht sektori privat, nuk arrin që të përmirësoj kushtet e punës deri në fund të këtij viti atëherë vërtet tregu i punës do pësojë tronditje të mëdha”, ka shtuar i pari i AKB-së, Agim Shahini.

Përmirësimit të kushteve të punës sipas kreut të AKB-së duhet t’i paraprijë një rritje ekonomike dyshifrore në mënyrë që kjo rritje të ketë ndikim në përmirësimin e kushteve të punës.

Në anën tjetër, sipas një analize të AKB-së, Kosova është vendi me pagën minimale më të ulët në Evropë me rreth 170 euro dhe kjo, thotë ai, përveç se është diskriminuese, nuk plotëson as kushtet minimale për jetesë.Shahini ka sugjeruar që qeveria urgjentisht duhet të merr vendime për rritjen e kësaj page dhe ruajtjen e fuqisë punëtore.

Të gjitha këto kushte aspak të mira për punëtorët kosovar sipas AKB-së do të bëjnë që në vitin e parë pas liberalizimit, nga tregu i punës të ikin deri në 150.000 punonjës.

Lexo edhe:  Njoftimi i KEDS, ndërprerje të rrymës të Dielën